Ministrja Milena Harito takohet në Paris me Ministren për Administratën Publike të Francës, znj. Marylise Lebranchu

Print Email

Lexoni me shume...
Në kuadër të vizitës së saj në Francë, Ministrja për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito u takua me Ministren e Reformës Shtetërore, Decentralizimit dhe Administratës Publike të Francës, znj. Marylise Lebranchu.

Gjatë takimit u diskutuan dhe u shkëmbyen opinione mbi tematikat lidhur me administratën publike. Znj. Lebranchu ndau me Ministren Harito eksperiencën e saj mbi shërbimin civil francez, si dhe e inkurajoi për krijimin e një administrate publike transparente dhe në shërbim të qytetarëve.

Nga ana e saj, Ministrja Harito konfirmoi edhe njëherë zotimin e qeverisë shqiptare për një administratë të aftë, transparente, të përkushtuar dhe të orientuar nga rezultati.

Ministrja Harito takim me Ministren për Kompanitë e Vogla dhe të Mesme, Inovacionin dhe Ekonominë Numerike të Francës, znj. Pellerin

Print Email

Lexoni me shume...

 Në vijim të vizitës së saj në Francë, Ministrja e Shtetit për Inovacionin Milena Harito u prit në një takim nga Ministrja për Kompanitë e Vogla dhe të Mesme, Inovacionin dhe Ekonominë Numerike të Francës, znj. Fleur Pellerin, me të cilën shkëmbyen pikëpamjet mbi projektet në fushën e ekonomisë numerike.

Ministrja Harito e njohu znj. Pellerin me projektin e qeverisë shqiptare, i cili do të marrë jetë shumë shpejt, për pajisjen e nxënësve të shkollave të mesme me tableta elektronike. Ministrja Fleur Pellerin shfaqi interes për këtë projekt duke u shprehur se është koha për investime në këtë drejtim, me qëllim favorizimin e mësimnxënies më të mirë falë teknologjive më të reja.

Në takim, u diskutua edhe për rritjen e shërbimeve administrative nëpërmjet zhvillimit të infrastrukturës teknologjike, falë të cilave lufta kundër korrupsionit të bëhet më efikase. Ministrja Harito dhe ministrja Pellerin gjatë takimit u ndalën edhe në transparencën e të dhënave publike, ç’ka përbën një oportunitet për krijimin e shërbimeve të reja.

 

Harito:"Administrata e depolitizuar-një luftë e gjatë dhe e përditshme"

Print Email

Ministrja për Inovaconin dhe Administratën Publike, Milena Harito në një intervistë me DW, thekson nevojën e futjes së konkurseve të hapura dhe transparente për ngritjen e administratës profesionale e larg politikës.

 

DW: Në Shqipëri ka shpërthyer debati për zëvendësimet në administratë, apo institucione të tjera. Opozita ju akuzon si qeveri e re se ka filluar fshesa politike. Si i përgjigjeni ju kësaj akuze?

Harito: Në përgjithësi barra e akuzës është e atij që akuzon, do të ishte shumë mirë që opozita të nxirrte emra, shifra, të fliste për atë çfarë ndodh. Unë vetë kërkoj personalisht një raportim javor për ndryshimet në administratë, dhe për momentin nuk konstatoj asnjë parregullsi. Janë rreth 20 veta që janë larguar duke dhënë dorëheqjen. Nuk ka parregullsi të tjera. Opozita e gjykon me kutin e saj, le të themi me mënyrën si është sjellë vetë me parë dhe na akuzon ne për gjëra që ka bërë gjatë gjithë viteve të qeverisjes, por në mënyrë më masive në muajt e fundit.

DW: Po në media debatohen disa emra së fundmi, emra që lidhen me largime nga detyra apo zëvendësime në polici, dogana, Arkivin e Shtetit, etj. Pse duheshin bërë këto largime për shembull?

Harito: Këtu duhet bërë diferenca mes nëpunësve civilë, të cilët rekrutohen me konkurs, dhe në bazë të ligjit duhet të rekrutohen në këtë mënyrë dhe emërimeve të tjera të drejtuesve të lartë, të cilët emërohen nga kryeministri dhe ministrat e tjerë, sipas ligjit. Në këtë rast është përgjegjësia e atyre që emërojnë që të zgjedhin njeriun që është njeriu i duhur.

DW: Retorika politike për një administratë të më të zotëve, të talentuarve, larg të korruptuarve tingëllon si një retorikë shumë e bukur për t'u besuar në realitetin shqiptar...

Harito: Sigurisht kjo është çështje pune dhe luftë e përditshme. Dhe është e vështirë se ne jemi duke ndryshuar një mentalitet, i cili le të themi prej 70 vjetësh ka qenë kështu, pra që në administratën publike hyhej me miqësi apo me lidhje. Ndërkohë shumë shqiptarë kanë jetuar e punuar jashtë, janë përballur atje me procedurat e konkurrimit, dhe me faktin që duhet të provojnë që janë më të mirët, po ashtu në Shqipëri në sektorin privat janë përballur me këtë realitet. Mentaliteti ka ndryshuar për një pjesë të madhe të shoqërisë. Ne po përpiqemi qe kjo të ndryshojë edhe në administratën publike. Por është një luftë e përditshme.

DW: Përvoja e gjatë e hidhur me politizimin e administratës publike nga palët që kanë ardhur në pushtet e zëvendësimet e klientelës bëjnë që të mungojë besimi mes palëve politike e shpesh edhe në shoqëri, se ju do të jeni ndryshe. Çfarë do t'iu bënte ju ndryshe?

Harito: Ne e kemi shpjeguar shumë qartë këtë gjë dhe do ta ngremë në formë sistemi. E kemi shpallur që pas fitores së zgjedhjeve, krijimin e një baze

CV-sh online, pra u kemi bërë thirrje të gjithë njerëzve që dëshirojnë të jenë pjesë e administratës publike të shprehin vullnetin e tyre nëpërmjet një baze të dhënash dhe të depozitojnë CV-të e tyre. Këtë gjë po e përdorim tani për çdo post që hapet për administratën publike duke shpallur konkurse, duke sjellë në to shumë njerëz, nëpërmjet kësaj baze të CV-ve. Pra kjo bën që të kemi shumë më tepër kandidatë në këto konkurse të hapura shpresojmë që të vijnë më shumë në të ardhmen.

DW: Mazhoranca përmend konkursin si mjet për meritokracinë. Po konkursi ka ekzistuar edhe më parë si formë. Problemi qëndron tek duart politike që fshihen pas konkurseve, apo duart e mikut në një shoqëri që e ka traditë të ngulur klanin dhe mikun.

Harito: Pra edhe njëherë, duart pas konkurseve kanë ekzistuar gjithmonë, është e vërtetë kjo që thoni, presione ka shumë, ka shumë lidhje, është vend i vogël. Por konkurset e mëparshme vetëm sa shpalleshin sepse e kërkonte ligji, dhe kishte shumë pak informacion publik. Ndërsa ne duke iu bërë thirrje njerëzve në mënyrë të personalizuar, duke iu bërë thirrje atyre që janë në bazën e të dhënave, ata që janë shprehur që duan të hyjnë në administratë, e duke i lajmëruar për hapjen e posteve, ne nuk kemi më asnjë kontroll mbi numrin e njerëzve që vijnë e kandidojnë. Nuk vjen më një njeri me dy shokët e vet, për t'u bërë pjesë formale e konkursit, por vijnë një numër njerëzish, i pacaktuar ky, që ne nuk e kontrollojmë dot. Ky ndryshim sigurisht do kërkojë kohë që të pranohet nga shoqëria dhe përveç kësaj të bëhet efektiv.

DW: Në një fjalim në parlament ju thatë se duhet ndryshuar sistemi, njerëzit nuk do të korruptoheshin aq kollaj nëse sistemi nuk e mundëson këtë. Si do ta ndryshoni ju sistemin?

Është pikërisht kjo që thashë më parë, duke forcuar sistemin e konkurseve dhe duke ardhur në to shumë kandidatë, vetvetiu do të bëhej e pamundur të zgjidheshin njerëz që nuk kanë kualifikimin e duhur apo CV-n e duhur për postin. Duke qenë se shumë njerëz e shohin kush merr pjesë, kjo rrit mundësinë e kontestimit nëse procedura nuk është e drejtë. Hapja dhe transparenca të ngritura në sistem do të bëjnë që rekrutimet të jenë ndryshe nga ç'kanë qenë më parë, të jenë rekrutime të hapura dhe t'u japin mundësinë të gjithëve.

DW: Po shpesh militantizmi partiak në Shqipëri lidhet drejtpërdrejt me sigurimin e një vendi pune, sidomos në një vend me papunësi të lartë. Çfarë masash do të merrni ju për t'i ndarë këto, militantizmin nga meritokracia?

Harito: Mendoj se edhe këtu ka një legjendë. Është e vërtetë që administrata ka në tërësinë e saj 80.000 vende pune. Ka aktualisht 6.000 nëpunës civilë, dhe me ligjin e ri shkon ky numër në rreth 20.000. Ndërkohë që mazhoranca aktuale ka marrë rreth 1.milionë vota. Shumë thjesht llogaria nuk del. Nuk fitohen zgjedhjet duke shpërndarë vende pune.

DW: Shtyrja e ligjit për nëpunësin civilu prit ashpër nga opozita, madje ajo ishte arsyeja që ajo braktisi parlamentin. Ndërkohë bashkëpunimi me opozitën kërkohet si kriter nga BE. Si do veprohet për të fituar besimin e palës tjetër?

Harito: Me këshillën e Sigmës, që është edhe konsulenti i Komisionit Europian për këtë çështje e ka punuar për hartimin e ligjit u vendos që ligji të hynte në fuqi, e ky moment është i rëndësishëm. Ligji hyri në fuqi më 1. tetor, ashtu si ishte parashikuar. Është momenti më i rëndësishëm pra, se nuk ka kthim mbrapa. Konsensusi i arritur në Maj nuk u prish. Pjesa tjetër është teknikalitet i rekomanduar nga Sigma. Një gjë jashtë vullnetit tonë, sepse nga 30 maji deri në 1 tetor nuk ishte përgatitur asgjë që do ta bënte këtë ligj të zbatueshëm nga ana juridike. Kjo është një zhurmë politike e opozitës. Ndërsa çështja një teknikalitet, efektet e ligjit u shtynë për pak muaj që të përgatiten aktet nënligjore. Opozita e sotme kishte 3 muaj e gjysmë kohë që të përgatiste këto akte nënligjore. Ndërkohë kur u bënë zgjedhjet ne nuk e dinim votat që do të kishim në Kuvend dhe nuk kishim si të imagjinonim asnjë skenar nga ato që thotë opozita.

DW: Një ndër pesë kriteret e Bashkimit Europian për integrimin e mëtejshëm të vendit është edhe një administratë profesioniste dhe e depolitizuar. Keni shpresa ju se ky kriter do të përmbushet?

Harito: Kjo do të jetë një përpjekje e vazhdueshme për të gjithë mandatin tonë qeverisës. Pa dyshim që në çdo moment ne do të japim llogari për mënyrën si funksionon administrata publike. Dhe do të gjykohemi në fund të mandatit nëse kemi arritur të bëjmë disa hapa përpara në këtë drejtim.

 

//Intervistë në Deutsche Welle

Ministrja Harito takon homologun maqedonas

Print Email

Lexoni me shume...

Dje znj Harito, Ministër shteti për Inovacionin dhe Administratën Publike u takua në Shkup me z. Ivo Ivanovski, Ministër për Shoqërine e Informacionit dhe Administratës Publike(Ministry of Information Society and Administration). 

Biseda u fokusua në eksperiencën e Maqedonisë në pajisjen e gjithë nxënësve me kompjutera që prej vitit 2007 dhe mënyrën se si Qeveria Shqiptare do të implementojë një projekt të ngjashëm.

Veç kësaj Z. Ivanovski shpjegoi proçesin e dixhitalizimit të transmetimeve televizive i cili ka mbaruar në Maqedoni në qershor 2013, ndërsa në Shqipëri duhet të përfundojë detyrimisht deri në qershor 2015.

Maqedonia është gjithashtu në proçesin e konsultimit përpara aprovimit në parlament të një ligji të ri për administratën publike.

 

 

Ministrja Harito takon Ambasadorin e Republikës Popullore të Kinës

Print Email

Ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito, priti sot në takim Ambasadorin e Republikës Popullore të Kinës, Shkëlqesia e Tij, zoti Ye Hao. Gjatë takimit u fol për bashkëpunimin dypalësh dhe projektet e përbashkëta. Ministrja Harito i paraqiti Ambasadorit Hao projektin e-learning i cili përfshin pajisjen e nxënësve të shkollave të mesme me tableta elektronike.

 

Ambasadori Hao shprehu interes dhe gatishmërinë e Republikës Popullore të Kinës të mbështesë financiarisht projektin e-learning. Nga ana e saj, Ministrja Harito, u angazhua për iniciimin e një projekti pilot i cili do marrë jetë shumë shpejt.

Harito: Opozita, qesharake për "Nëpunësin Civil",i ka vetë fajet

Print Email

Ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, pikërisht ajo që lidhet drejtpërdrejt me statusin dhe ligjin e "Nëpunësit Civil", Milena Harito, ka qenë e ftuar në "Tête à tête" në 'A1 Report" për të dhënë shpjegime mbi punësimet apo pezullimet nga puna në administratën publike këto kohë.

E intervistuar nga gazetarja, Mirjeta Ngjela, Harito ka theksuar se pretendimet e opozitës për shtyrjen e ligjit janë qesharake dhe për këtë ka fajësuar edhe qeverinë e mëparshme he ka shpjeguar 3 arsyet.

Harito ka shpjeguar raportet me militantët e PS për sa i përket punësimeve, me administratën aktuale dhe me aplikuesit me CV online.

Pse u shty ligji për "Nëpunësin Civil"?

Deri në 3 maj nuk u miratua asnjë akt nënëligjor për të. E ç’do bënim ne me këtë ligj? Gjëja e parë që bëra në zyrë ishte: kërkova ndihmën e Sigmës. Pasi ishte e pamundur të hynte në funksioni ligji i “Nëpunësit Civil” pa akte nënligjore. Ekspertët na thanë që duhen gjashtë muaj në mënyrë që të kishim kohë.

 

Ka opinione që thonë se kjo kohë duhet në mënyrë që ju të bëni gjithçka doni me administratën?

Ka shumë gjëra qesharake. Qeveria që kaloi ka punuar 8 vjet me këtë ligj. Nëse ky ligj ishte kaq i keq ajo kishte kohë ta adaptonte, ta ndryshonte. Tani që vijmë ne alarmohet. Edhe ligji aktual është ligj i mirë, e mbron goxha administratën, por ka nevojë për përmirësime, sigurisht. Së dyti, qeveria është vetë fajtore, që s’ka bërë aktet nënligjore. Gjithë verën ish-ministri i Brendshëm, Flamur Noka s’bëri asgjë. Nëse e kishin kaq problem, duhet ta kishin bërë. Gjëja e tretë qesharake: nëse s’do kishim bërë këtë shtyrje, administrata do ishte më pak e mbrojtur, se s’do zbatohej as ligji i ri, as ligji i vjetër gjithashtu.

 

Si do t'i punësoni njerëzit ju? 

Ne do aplikojmë konkurset të hapura, të cilat zgjasin 45 ditë nga hapja e konkursit deri kur fillon punë. Për gjithë nëpunësit civilë kështu. Duam të ndryshojmë sistemin, se njerëzit sillen në të njëjtën mënyrë, por sistemi bën ndryshimin. Do ketë konkurse kur hapet një pozicion i lirë. Për shembull, u hapën dy vende pune për teknikë informatike. Për këtë u panë CV e aplikuara online, u filtruan njerëz të fushës, u lajmëruan 500 vetë dhe 50 vendosën të përgjigjen. CV u filtruan përsëri. Duke pasur shumë kandidatë përzgjedhja bëhet më e mirë. Çdo njeri që do të verifikojë sa të ndershme janë konkurset tona, le të vijë në konkurs. Nëse shikon shkelje që ka fituar dikush pa merita, le ta ngrërë këtë problem.

 

Po ndodh që po punësohen pa merituar?

Pritshmëria është shumë e madhe, se ka shumë të papunë, që duan të punojnë në shtet. Të gjithëve u kemi dhënë të njëjtën përgjigje: të vijnë të konkurrojnë sipas meritave. Edhe kur dalin jashtë Shqipërisë i përshtaten këtij sistemi dhe s’kemi pse mos ta bëjmë edhe në Shqipëri.

 

Militantët do kenë hatërmbetje?

Nëse sistemi është i drejtë, njerëzit do ta kuptojnë, që një sistem i drejtë u shërben të gjithëve. Shpresojmë që po bëjmë gjënë e duhur.

 

Ka qarkulluar ideja se aktet nënligjore të ligjit për Nëpunësin Civil s’janë të domosdoshme. Sa mundësi kanë të mbrohen nëpunësit aktualë, ndërkohë që ankthi i pushimit nga puna është i madh?

Ankthi është krejtësisht i pajusitifikuar. Çdo njeri që e ka marrë punën me meritë s’ka pse të ketë ankth. Ne kemi gjetur nëpunës me kontrata të përkohshme, ku nuk është respektuar ligji, pasi duhen konkurse për të merituar ato vende.  Vetëm në tatime ishin 200 me kontrata të përkohshme dhe qëndroninaty  pa konkurse. Duam të ndryshojmë administratën se, për shembull, termi doganier nuk gëzon respekt nga shoqëria. Të ketë nëpunës që kanë dëshirë për karrierë afatgjatë, të testohen, provohen sipas ligjit, mos ndryshohen se ndërroi qeveria. Ka një vit provë, nëse i përmbushin kushtet, janë në shërbim të qytetarëve, që nuk shkojnë për të marrë një rrogë dhe do mbahen më të mirët, siç bëhet te privati.

 

 

Interviste ne A1Report/



Lidhje



Ministrja Milena Harito takohet në Paris me Ministren për...


Në kuadër të vizitës së saj në Francë, Ministrja për Inovacionin dhe Administratën...


Ministrja Harito takim me Ministren për Kompanitë e Vogla...

 Në vijim të vizitës së saj në Francë, Ministrja e Shtetit për Inovacionin Milena...


Harito:"Administrata e depolitizuar-një luftë e gjatë dhe...

Ministrja për Inovaconin dhe Administratën Publike, Milena Harito në një intervistë me...


Ministrja Harito takon homologun maqedonas

Dje znj Harito, Ministër shteti për Inovacionin dhe Administratën Publike u takua në...




Keshilli i Ministrave







instat instat



© Të gjitha të drejtat të rezervuara, Ministri i Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike 2013    Faqja nga Altin Sejdini per Abp